Foto: Portal ETV
Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, ka deklaruar se viti aktual do të jetë vendimtar për procesin e integrimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
Ajo theksoi se Mali i Zi mbetet i përkushtuar fuqishëm ndaj reformave dhe synon të bëhet anëtare e plotë e BE-së deri në vitin 2028, në bazë të parimit të meritës.
Sipas saj, vendi ka bërë përparim të madh dhe sot shërben si shembull se si reformat evropiane mund të transformojnë shoqërinë, institucionet dhe ekonominë, edhe në kushte sfiduese në Ballkanin Perëndimor.
Ajo nënvizoi se Mali i Zi është në fazë të avancuar të negociatave dhe synon përfundimin e tyre deri në fund të vitit 2026, duke e quajtur këtë një moment historik për vendin.
Një element i rëndësishëm, sipas saj, është edhe formimi i një grupi të posaçëm nga BE për përgatitjen e traktatit të anëtarësimit të Malit të Zi, gjë që shihet si sinjal i fortë i progresit.
Gorçeviq theksoi gjithashtu rëndësinë e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, si dhe iniciativave konkrete si SEPA dhe heqja e tarifave të roamingut, të cilat sjellin përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset.
Ajo shtoi se zgjerimi i BE-së nuk është vetëm proces teknik, por një zgjedhje strategjike për të ardhmen e Evropës dhe stabilitetin e saj.
Ministrat e BE-së nga ana e tyre theksuan se zgjerimi është bërë një investim strategjik për paqe, siguri dhe stabilitet në kontinentin evropian, veçanërisht në kontekstin aktual gjeopolitik.










