KURTI NDIHMA PËR KRIZËN EKONOMIKE / 100 EURO PËR PUNËTORËT, STUDENTËT DHE PENSIONISTËT

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ndarë një paketë financiare për të zbutur efektet e krizës ekonomikë që ka sjellë lufta në Ukrainë. Kreu i qeverisë njoftoi të martën se për muajin prill, pensionistëve, punëtorëve dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro. “Për muajin prill do të dyfishojmë vlerën e asistencës sociale për të gjitha familjet që përfshihen në këtë skemë. Pensionistëve do t’u ndajmë nga 100 euro shtesë për muajin prill. 100 euro do t’i ndajmë për punëtorët e sektorit privat, do të ndajmë shumën prej 100 eurove edhe për mbi 80 mijë zyrtarë publikë. Po ashtu, të gjithë studentët do të përfitojnë nga 100 euro. Për shtresat e cenueshme do të shpërndajmë mbi 80 mijë euro”. Kurti theksoi se nga kjo shumë do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë. Kryeministri bëri të ditur po ashtu se do të miratohet projektligji për rritjen e pagës minimale dhe heqjen e tatimit në 250 euro pagë. Pas miratimit në Qeveri, projektligji për pagën minimale duhet të miratohet edhe në Kuvendin e Kosovës. Sipas rregullores së Kuvendit, shqyrtimi i parë i një projektligji nuk mund të merret pa kaluar dy javë nga dita e shpërndarjes së tij.

SHARE