KOMISIONI I PARLAMENTIT EVROPIAN MIRATOI MARRËVESHJEN PËR LIBERALIZIMIN E VIZAVE PËR QYTETARËT E KOSOVËS

Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian (PE), ka miratuar marrëveshjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Në profilin e Komitetit në rrjetet sociale, bëhet e ditur se marrëveshja trepalëshe për liberalizimin e vizave për Kosovën është miratuar me 48 vota pro, 7 kundër dhe tri abstenime. “Është miratuar marrëveshja trepalëshe për liberalizimin e vizave me Kosovën nga eurodeputetët me 48 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenime”, thuhet në njoftim. Miratimi i marrëveshjes në këtë komision të PE-së dëshmon se formalizimi i vendimit të bllokut evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën po shkon sipas planit dhe procedurave përkatëse, ku përfshihen institucione të ndryshme të BE-së. Marrëveshja e cila u miratua sot është arritur në dhjetorin e vitit 2022 në mes të Parlamentit, Këshillit dhe Presidencës së Bashkimit Evropian e cila udhëhiqej nga Republika e Çekisë.

SHARE