RRITJA EKONOMIKE DO JETË 3.8 %, RAPORTI I BANKËS BOTËRORE PËR VITIN 2022

Raporti i Bankës Botërore vlerëson se Shqipëria do ketë një rritje ekonomike 3.8 përqind gjatë këtij viti. Rritja e ngadalësuar është parashikuar në gjithë botën ndërsa në vitin 2021 kishte shifra shumë më të larta. Në Shqipëri ajo ishte 7.2 përqind ose 2.8 pikë për qind më e lartë sesa parashikimi i qershorit 2021. Nga vendet e rajonit, Shqipëria kishte në 2021 rritjen e dytë më të lartë pas Malit të Zi me 10.8%, por ky shtet shënoi dhe rënien më të lartë në 2020, e ndjekur nga Kosova me 7.1 përqind, Serbia me 6 përqind, Bosnjë Hercegovina dhe Maqedonia e veriut me nga 4 përqind. Sipas Bankës Botërore ekonomia botërore po përballet njëkohësisht me Covid 19, inflacionin dhe pasigurinë e politikave, me shpenzimet e qeverive dhe politikat monetare në territore të paeksploruara. “Rritja e pabarazisë dhe sfidave të sigurisë janë veçanërisht të dëmshme për vendet në zhvillim. Vendosja e më shumë vendeve në një rrugë të favorshme rritjeje kërkon veprim të bashkërenduar ndërkombëtar dhe një seri gjithëpërfshirëse politikash kombëtare”, tha presidenti i Grupit të Bankës Botërore, David Malpass. Sipas raportit, rritja në afatin e mesmë e Shqipërisë, dhe Maqedonisë së Veriut mund të nxitet nga përshpejtimi i reformave strukturore në kuadër të përgatitjeve për anëtarësimin në Bashkimin Europian, duke marrë parasysh që ky proces nuk shtyhet më tej.

SHARE