Kosovë, zgjedhjet për kryetarë të katër komunave të veriut shtyhen për në prill 2023

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se është vendosur që zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave të veriut të planifikuara të mbaheshin më 18 dhjetor shtyhen për në muajin prill të vitit 2023, për shkak të nivelit të rrezikshmërisë në veri të Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidentja Osmani në një adresim për media pas takimit me përfaqësues të partive të certifikuara për të marrë pjesë në zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, tha se ka marrë një raport të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI) për vlerësim të nivelit të rrezikut.

Osmani tha se bashkë me përfaqësuesit politikë janë dakorduar që ndërkohë të përcillet situata e rrezikshmërisë, të merret vlerësimi i sigurisë në veri dhe pastaj të takohen sërish që të bëjnë vlerësimin varësisht nga situata.

“Bazuar në këto vlerësime, përfshirë raportin e sigurisë që kam marrë nga institucionet, propozimi im sot në këtë takim ishte që të shtyjmë zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale në dy komuna. Diskutuam për datën dhe në fund me konsensus të plotë erdhëm në konkluzion që zgjedhjet të shtyhen për muajin prill 2023”, theksoi Osmani.

Tutje, presidentja Osmani duke folur për incidentet dhe shpërthimet e ditëve të fundit në veri, tha se përkundër faktit se Policia e Kosovës ka kapacitetet e nevojshme për garantimin e sigurisë, bandat e maskuara atje kanë arritur t’i trembin qytetarët që të mos ndihen të lirë për të votuar dhe këtë e dëshmon tërheqja e disa kandidatëve të regjistruar për këto zgjedhje.

Gjatë ditës së sotme në Rudarë, afër Komunës së Zveçanit, tek vendi i njohur si “kryqi”, serbë lokalë të mbledhur kanë vendosur kamionë dhe automjete duke bllokuar rrugët. 

Bllokimi i rrugëve, sipas Petar Petkoviqit, Drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, është bërë për shkak të arrestimit të ish-policit serb në Policinë e Kosovës, Dejan Pantiq, nën dyshimet për sulm me mjete shpërthyese.

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla tha sot se Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues.

Zgjedhjet në veri paraprakisht ishte paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor, pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave veriore një muaj më herët, të cilët vinin nga partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe, e cila po ashtu vendosi të mos bëhet pjesë e procesit zgjedhor të planifikuar për këtë muaj.

Policia e Kosovës konfirmoi se më 6 dhjetor ka pasur disa incidente në kohën kur zyrtarët policorë po i shoqëronin autoritetet zgjedhore në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok të cilët kishin shkuar atje për fazën përgatitore para mbajtjes së zgjedhjeve të 18 dhjetorit në katër komunat veriore. Në incidentet e regjistruara janë përdorur shok-bomba, granata dore dhe armë zjarri, të cilat rezultuan pa incidente në njerëz por me demolim të zyrave të komisionit komunal zgjedhor.

Pas kësaj situate dhe pas disa shpërthimeve të dëgjuara në këtë pjesë, Policia e Kosovës shtoi praninë e pjesëtarëve të saj në veri, gjë e cila ngjalli edhe reagimin e Beogradit zyrtar i cili tha se po shqyrtojnë dërgimin e forcave të tyre të sigurisë në Kosovë.

SHARE