BORRELL TAKON NDARAS KURTIN DHE VUÇIQIN NË PARIS

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u takua të premten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Paris, ku po mbahet Forumi i Paqes, por nuk pati takim të përbashkët ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit. Borrell kërkoi nga Kosova edhe nisjen e bisedimeve për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe po ashtu kërkoi nga dy palët të gjejnë zgjedhje urgjente ndaj krizës aktuale dhe të jenë të gatshëm për kompromis. Borrell do të raportojë para Këshillit të Ministrave të BE-së më 14 nëntor për diskutimet e tij në dy takimet me Kurtin dhe Vuçiqin, si dhe do të japë analizën e tij për situatën mes dy vendeve. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit tha se nuk duhet të humbet fokusi nga marrëveshja finale me Serbinë shkaku i problemeve të fundit. “Ne nuk duhet t’i vonojmë bisedimet për marrëveshjen ligjërisht të obligueshme, ndërkohë që i adresojmë çështjet aktuale”, shkroi Kurti në Twitter. Ndërsa Vuçiqi tha se “është e rëndësisë së veçantë që institucionet evropiane dhe vendet anëtare të BE-së të mbajnë qëndrim të prerë se Prishtina duhet të nisë përfundimisht t’i kryejë obligimet e veta, që, pikë së pari, kanë të bëjnë me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. “Ne u pajtuam që është e nevojshme të ulen të gjitha tensionet, të qetësohet situata dhe të zgjidhen problemet në mënyrë të arsyeshme, siç insiston gjithmonë Serbia”, tha presidenti serb.

SHARE