KRYEMINISTRI RAMA VIZITË NË HUNGARI

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka realizuar një vizitë zyrtare në Hungari, ndërkohë është takuar me homologun e tij Viktor Orban, raporton Anadolu.

Në deklaratën e përbashkët pas takimit, Rama dhe Orban u fokusuan në bashkëpunimin dypalësh, procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe çështje të tjera.

Në fjalën e tij kryeministri Rama theksoi se me homologun e tij ka biseduar se si mund të zgjerojnë bashkëpunimin.

Rama u shpreh se pas disa ditësh do të kenë mundësinë që të hapin një pjesë të madhe të negociatave me Bashkimin Evropian, sipas tij, një grup të tërë kapitujsh.

“Ne do të hyjmë në një fazë integrimi e cila është vërtetë e përparuar, e avancuar”, tha Rama, duke falënderuar edhe Presidenca hungareze të BE-së.

Rama u shpreh se është gjithmonë kënaqësi që të vijnë në Budapest. “E kemi parë Hungarinë si shembull, si model sa u përket reformave të brendshme në administratë, në qeveri, reforma për të gjetur mënyra krijuese që ministritë të jenë sa më efikase”, tha Rama.

Kryeministri hungarez, Orban, u shpreh se Bashkimi Evropian të mirëpresë vendet e Ballkanit Perëndimor në familjen e vet.

“Shqipëria duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe duhet të ishte pjesë edhe tani. Por fatkeqësisht ne po shikojmë pengesa politike dhe është shumë e vështirë për ti kaluar këto probleme, ndoshta edhe këtë lloj qasje. Megjithatë unë mund t’iu them që kemi patur sukses pasi javën e ardhshme në Luksemburg do të kemi në fakt konferencën ndërqeveritare ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë dhe do të hapet grup kapitulli i parë”, tha Orban.

Orban theksoi se Hungaria në frymën e një politike të përgjegjshme të fqinjësisë së mirë ka ndihmuar Bashkimin Evropian duke ofruar edhe mbështetje financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor.

SHARE