SHQIPËRIA, ANËTARE E KËSHILLIT TË TË DREJTAVE TË NJERIUT

Shqipëria u zgjodh anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut për periudhën 2024-2026.

Pas votimit me 123 vota pro në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Shqipëria bëhet për herë të dytë anëtare në këtë Këshill.

Lajmin e dha përmes një postimi në rrjetin social “X”, ministri i Jashtëm Igli Hasani, që e cilëson si një arritje të madhe të politikës dhe diplomacisë së jashtme shqiptare.

“Një tjetër demonstrim i besimit nga shtetet anëtare të OKB-së për rolin e Shqipërisë në çështjet ndërkombëtare. Këtë herë plotësisht të përkushtuar për mbrojtjen dhe promovimin e Të Drejtave të Njeriut kudo dhe për të gjithë“, shkruan Hasani.

Objektivi kryesor i Shqipërisë, si anëtare e Këshillit të tëDrejtave të Njeriut do të jetë të punojë brenda Këshillit dhe sistemit të Kombeve të Bashkuara për të garantuar respektimin universal të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, për të gjithë individët pa diskriminuar askënd.

Një ditë pasi Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara votoi pro Shqipërisë në Këshillin për të Drejtat e njeriut, kryeministri Rama thotë se ky është një tjetër rol ndërkombëtar që merr Shqipëria.

Kryeministri renditi më pas listën me 15 vendet e botës që fituan një vend në këtë këshill kaq të rëndësishëm, si Shqipëria, Brazili, Bullgaria, Burundi, Kina, Bregu i Fildishtë, Kuba, Republika Domenikane, Franca, Gana, Indonezia, Japonia, Kuvajti, Malaui dhe Hollanda.

SHARE