Sot bëhen 25 vjet nga 11 Shtatori 2001, dita që ndryshoi përgjithmonë Shtetet e Bashkuara dhe botën.
Rreth 3 mijë dronë ndriçuan qiellin e Nju Jorkut gjatë provës së një shfaqjeje spektakolare që do të jetë pjesë e ceremonive për 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001.
Dronët u ngritën mbi qytet dhe, përmes një koreografie të sinkronizuar, krijuan forma dhe figura të ndryshme në qiell, në një homazh simbolik për mijëra njerëzit që humbën jetën në tragjedinë e 11 Shtatorit.
Shtetet e Bashkuara sot përkujtojnë 25-vjetorin e sulmeve që ndryshuan përgjithmonë historinë e vendit dhe të botës.
Më 11 shtator 2001, katër avionë të rrëmbyer u përdorën në sulmet ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, Pentagonit dhe një zone në Pensilvani.
Në tragjedi humbën jetën 2,977 persona. Mes viktimave ishin edhe tre shqiptarë, Rrok Camaj, Mon Gjonbalaj dhe Simon Dedvukaj, të cilët ndodheshin në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork.
Emrat e tyre, së bashku me mijëra viktima të tjera, janë pjesë e kujtesës së kësaj tragjedie.
Shfaqja me dronë është pjesë e aktiviteteve përkujtimore të këtij përvjetori dhe synon të përcjellë një mesazh kujtese dhe nderimi për viktimat.
Qielli i ndriçuar i Nju Jorkut pritet të jetë një nga momentet simbolike të ceremonive që shënojnë një çerek shekulli nga tragjedia.
25 vite më pas, kujtimi i 11 Shtatorit mbetet i gjallë, ndërsa emrat e viktimave vazhdojnë të kujtohen në qytetin ku ndodhi një prej tragjedive më të mëdha të shekullit XXI.





