Zjarret që kanë pushtuar Mauin në Hauai kanë marrë të paktën 55 jetë njerëzish, e bilanci i vdekjeve mund të rritet akoma edhe më shumë.
Flakët kanë shkrumbuar thuajse krejtësisht qytezën Lahaina, një destinacion i famshëm i vizituar nga 2 milionë turistë në vit, duke i lënë atje mijëra persona pa një strehë mbi kokë, pohoi guvernatori Josh Green. Nga katastrofa, e cilësuar si më e rënda në historinë e vendit, besohet të jenë rrafshuar 1.000 ndërtesa.
“Me mijëra vetë kanë mbetur të pastrehë nga zjarret. Situata është mjaft e rëndë. Do të duhen shumë vite për ta rindërtuar Lahainan. Ne po marrim masa për të strehuar personat të cilëve u janë djegur shtëpitë. Kemi kërkuar fillimisht 2.000 dhoma, si nëpër hotele ashtu edhe nëpër banesa që mund të japim dhoma shtesë me qira.”
Një i mbijetuar i zjarrit ne Lahaina, Ydriss Nouara, rrëfeu se policia i kishte kërkuar të “hidhej në oqean” për t`i shpëtuar flakëve që pushtuan shumë shpejt qytetin, duke mos i lënë mjaft njerëzve atje rruge shpëtimi. “Dëgjuam britma si në një film horror. Nuk dinim se çfarë po ndodhte. Dëgjuam njerëz që villnin por nuk i pamë, tymi ishte kudo. Gjithçka ishte e zezë. Unë thirra policinë tre herë. Kur më në fund u përgjigjën, ata thanë se nuk mund të vinin dhe duhej të hidhesha në oqean. Kalova rreth tre orë në ujë para se të më shpëtonin”, tha Nouara. Turistët ndërkohë u dyndën në aeroportin e Mauit që të largohen sa më parë nga ishulli.
“U bllokuam në dhomë për tre ditë. NUk kishim drita. Më në fund, erdhën e na morën prej andej, ishim 1800 vetë. Ishte e frikshme, nuk përdornim dot telefonët, nuk telefononim dot familjarët.”
Hauai është duke u përballur me zjarre pyjore prej të martës, të nxitura nga erërat e fuqishme dhe thatësia e madhe. Autoritetet kanë nisur të ndajnë ndihma për të prekurit nga zjarret, ndërsa zyrtarë amerikane në Kaliforni dhe Uashington i kanë nisur ekipet e tyre për të përforcuar përpjekjet e kërkim-shpëtimit.