Foto: Ilustrim
Komisioni Evropian (KE) vlerëson se Mali i Zi po vazhdon të shënojë përparim në përmbushjen e kritereve për mbylljen e kapitujve 23 dhe 24, të cilët lidhen me sundimin e ligjit, sipas një dokumenti joformal (non-paper) për të cilin është raportuar.
Në dokument theksohet se vendi ka bërë hapa përpara në reforma, veçanërisht në sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit, por ende ka punë të rëndësishme për t’u përfunduar.
KE vlerëson pozitivisht vazhdimin e reformës në drejtësi, zbatimin e strategjisë së reformës gjyqësore dhe ndryshimet kushtetuese që synojnë forcimin e pavarësisë së Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial.
Gjithashtu përmendet stabilizimi i institucioneve kryesore si Gjykata Supreme dhe Prokuroria e Shtetit.
Megjithatë, raporti vë në dukje vonesa në emërimet në funksionet më të larta gjyqësore dhe paqartësi ligjore rreth pensionimit të gjyqtarëve, përfshirë Gjykatën Kushtetuese.
Në fushën e luftës kundër korrupsionit, KE vlerëson përparim në forcimin e kornizës ligjore dhe institucionale, përfshirë miratimin e strategjive të reja dhe ndryshimeve ligjore që synojnë rritjen e përgjegjësisë dhe transparencës.
Përmirësim konsiderohet edhe funksionimi i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, megjithëse ajo ende përballet me mungesë stafit dhe financimit.
Pozitivisht vlerësohet bashkëpunimi mes institucioneve të drejtësisë dhe policisë, si dhe rezultatet në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.
Megjithatë, KE kërkon më shumë rezultate konkrete në vendime përfundimtare gjyqësore në rastet e krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
Sa i përket mediave, vlerësohet se ato në Mal të Zi funksionojnë në një mjedis relativisht të lirë, por raportohen raste presioni dhe intimidimi ndaj gazetarëve, si dhe paga të ulëta dhe kushte të vështira pune për punonjësit e mediave.
Në përgjithësi, Komisioni Evropian konkludon se Mali i Zi po përparon në rrugën drejt BE-së, por duhet të vazhdojë reformat, veçanërisht në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e institucioneve.









