Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, pas takimit me presidenten e Bankës Evropiane të Investimeve, Nadia Calviño, në Podgoricë, deklaroi se kjo është një ditë shumë e rëndësishme për Malin e Zi, pasi janë nënshkruar marrëveshje me vlerë 250 milionë euro për investime në infrastrukturën publike, shëndetësi, hekurudha dhe zhvillim ekonomik.
Ai tha se këto janë përfitime konkrete nga procesi i integrimit evropian. Marrëveshjet përfshijnë financimin e pajisjeve moderne për institucionet shëndetësore në Mal të Zi, modernizimin e linjës hekurudhore Tivar-Gollubovc, përfshirë tunelin e Sozinës dhe zonën e Ratacit, si dhe mbështetje për Bankën Zhvillimore të Malit të Zi.
Calviño theksoi se Mali i Zi ka bërë përparim të madh në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe se Banka Evropiane e Investimeve do të vazhdojë ta mbështesë vendin me investime dhe projekte konkrete.
Ajo tha se synimi është që qytetarët të kenë standard më të mirë jetese dhe se investimet do të përmirësojnë sistemin shëndetësor, transportin dhe mbështetjen për bizneset e vogla dhe të mesme.
Sipas saj, 27 milionë euro do të investohen në pajisje moderne për spitalet dhe klinikat, ndërsa 175 milionë euro dhe grante të BE-së do të përdoren për modernizimin e hekurudhës dhe përmirësimin e transportit të qëndrueshëm.
Gjithashtu, 50 milionë euro do të ndahen për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, me fokus në efikasitetin energjetik dhe inovacionin.
Spajiq shtoi se hapja e zyrës së Bankës Evropiane të Investimeve në Podgoricë tregon seriozitetin e Bashkimit Evropian ndaj Malit të Zi dhe premtoi vazhdimin e reformave dhe investimeve në sektorë të ndryshëm.
Ai deklaroi gjithashtu se qeveria mbështet rritjen e pagave për të gjithë punëtorët dhe se çështja e rikonstrukcionit të qeverisë do të zgjidhet në të ardhmen.












