Age Gjokaj Ivezaj është një ndër gratë shqiptare më të dalluara dhe më frymëzuese të diasporës sonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me personalitetin e saj të veçantë, me kulturën e gjerë, edukimin dhe dashurinë e pashuar për kombin shqiptar, ajo ka arritur të ndërtojë një emër të respektuar në fushën e publicistikës dhe krijimtarisë letrare. Veprimtaria e saj është dëshmi e qartë se gruaja shqiptare, kudo që jeton, mund të jetë bartëse e vlerave më të larta kombëtare, kulturore dhe intelektuale.
Kontributi i saj për vendlindjen dhe për komunitetin shqiptar në diasporë është i çmuar dhe i pandalshëm. Përmes fjalës së shkruar, angazhimit kulturor dhe mendimit intelektual, ajo vazhdon të ruajë dhe të forcojë lidhjen shpirtërore me atdheun, duke qenë një zë që frymëzon respekt, krenari dhe motivim tek shqiptarët kudo në botë.
Në një atmosferë të mbushur me emocion dhe vlerësim për artin e fjalës, u bë përurimi i dy veprave të saj: romanit “Kush na mallkoj” dhe përmbledhjes poetike “Pikëllim dhe shpresë”. Ky aktivitet mblodhi një numër të madh bashkëvendësish të autores, aktivistë e veprimtarë të komunitetit shqiptar në SHBA, publicistë, gazetarë, intelektualë, familjarë dhe dashamirë të shumtë të letërsisë shqiptare. Të gjithë ata shprehën nderim dhe respekt për krijimtarinë dhe figurën e saj, duke e vlerësuar si një zë autentik dhe të rëndësishëm të diasporës shqiptare.
Gjatë bisedave dhe intervistave që kemi pasur me të në TV Boin, ka qenë gjithmonë një kënaqësi e veçantë ta dëgjonim. Fjalët e saj bartin urtësi, kulturë dhe një ndjenjë të thellë përgjegjësie ndaj identitetit kombëtar. Ajo flet me dinjitet, me qetësi dhe me një dashuri të rrallë për shqiptarinë, duke lënë mbresa tek secili që e dëgjon. Pikërisht ky komunikim i saj i sinqertë dhe i pasur me vlera njerëzore e kombëtare na ka inspiruar vazhdimisht.
Age Gjokaj Ivezaj nuk është vetëm një shkrimtare dhe publiciste e talentuar, por edhe një ambasadore e denjë e kulturës shqiptare në diasporë. Ajo përfaqëson figurën e gruas shqiptare të mençur, të arsimuar dhe të suksesshme, e cila me punë, përkushtim dhe dashuri për kombin vazhdon të lartësojë emrin shqiptar dhe të lërë gjurmë të çmuara në kulturën tonë kombëtare.
Ky publikim është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Medias.
/ Fondi për nxitje të pluralizmit dhe shumëllojshmërisë të mediave /












