Çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare është rritur sërish, ndërsa po zbehen shpresat për një marrëveshje mes Izraelit dhe SHBA dhe Iran për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.
Nafta e papërpunuar Brent, standardi ndërkombëtar i referencës, u rrit me rreth 4%, duke arritur në afro 105 dollarë për fuçi. Ky është niveli më i lartë i regjistruar që nga mesi i javës së kaluar.
Gjatë ditëve më të tensionuara të konfliktit, çmimi i naftës kishte arritur deri në 120 dollarë për fuçi, duke shtuar shqetësimet për ekonomi dhe inflacion në shumë vende të botës.
Rritja më e fundit erdhi pasi Irani refuzoi një propozim të paraqitur nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës. Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se kundërpropozimi iranian ishte “krejtësisht i papranueshëm”.
Detajet e plota të marrëveshjes së propozuar nuk janë bërë publike.
Ekspertët paralajmërojnë se mbajtja e çmimeve të naftës mbi 100 dollarë për fuçi, së bashku me problemet në furnizim, mund të sjellë rritje të mëtejshme të çmimeve të energjisë dhe produkteve bazë në tregjet globale.










