LAJÇAK: NA DUHET QARTËSI SE SI DO TË ZBATOHET MARRËVESHJA DREJT NORMALIZIMIT

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili po qëndron në vizitë zyrtare në Kosovë, ka thënë se gjatë takimit me kryeministrin Albin Kurti, kanë diskutuar mbi procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe hapat e mëtejmë pas takimit të fundit në Bruksel. 

Lajçak në një deklaratë pas takimit me kryeministrin Kurti tha se pas takimit të nivelit të lartë më 2 maj në Bruksel, është shumë e rëndësishme që është e qartë vazhdimësia e hapave të ardhshëm.

“Kemi një marrëveshje dhe kemi aneksin, andaj duhet t’i kemi të qartë hapin e parë, hapin e dytë dhe hapin e tretë, pra, ky ishte qëllimi i një diskutimi mjaft intensiv por të rëndësishëm. Dhe këtë pasdite gjithashtu do të shkojë edhe në veri të vendit ku do të takohem me udhëheqës lokalë për të kuptuar situatën atje dhe shpresoj që do të kemi një zgjidhje politike që do të çojë në normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe implementim të marrëveshjeve”, theksoi Lajçak.

Tutje Lajçak tha se midis palëve mund të ketë normalizim ose ballafaqim dhe “ne duam që të shmangim çfarëdo eskalimi apo ballafaqimi dhe të fokusohemi në normalizim”.

Vizita e emisarit Lajçak synon të përgatisë hapat e ardhshëm në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

SHARE