SHBA-ja AKTIVIZON NË SHQIPËRI SHTABIN E FORCAVE SPECIALE PËR EVROPËN

Në Shqipëri është aktivizuar Shtabi i Përparuar i Komandës së Forcave Speciale amerikane në Evropë, me anë të një ceremonie me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë dhe përfaqësuesve të ambasadës së SHBA-së në Shqipëri.  Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, thuhet se ky shtab do ofrojë ekspertizë të lartë dhe do të sigurojë ndërveprueshmëri me Forcat Speciale shqiptare, por edhe me ato të rajonit. Në fjalën e tij në ceremoni, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, ka theksuar se rëndësia dhe jehona e vendosjes së këtij shtabi, i kalon kufijtë e Shqipërisë, pasi sipas tij “është i një rëndësie të veçantë për të gjithë rajonin”. Sipas ministrit Peleshi, ky vendim ka ardhur “në momentin e duhur, në kulmin e pasigurive dhe situatës së zymtë që po kalon kontinenti ynë, si dhe dëshmoi për të disatën herë lidhjen e fortë që buron nga partneriteti strategjik i Shqipërisë me SHBA-në”. Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, gjatë fjalës në këtë ceremoni theksoi se prania e kësaj baze amerikane, tregon se lidhjet mes Shqipërisë dhe SHBA-së “janë më të forta se kurrë”. “Me vënien në funksion të Task Forcës për Ballkanin për herë të parë në histori, Shqipëria ndoshta për habi të të gjithëve, do të jetë baza e një pranie të përhershme ushtarake amerikane”, u shpreh ambasadorja Kim.

SHARE