NE DUHET TA MBAJMË GJALLË PROCESIN E ZGJERIMIT TË BE-së

Tani është më e nevojshme se kurrë që të mbahet gjallë procesi i zgjerimit të BE-së, theksuan gjatë takimit zëvendëskryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq dhe ministri i jashtëm turk Mevlüt Cavuşoğlu. “Mbështetja e padiskutueshme dhe e gjithanshme e Turqisë është e rëndësishme për ne, veçanërisht në fushën ekonomike”, tha Abazoviq. Ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Cavuşoğlu, sipas Qeverisë, e përgëzoi Abazoviqin për marrjen e mandatit për formimin e qeverisë së re dhe theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të humbasin shpresat në kontekstin e integrimit evropian. Abazoviq theksoi se Turqia me autoritetin dhe ndikimin e saj mund ta ndihmojë shumë Malin e Zi. Sipas deklaratës, zëvendëskryeministri falënderoi për ftesën për të marrë pjesë në një ngjarje prestigjioze, siç është Forumi Diplomatik i Antalias, dhe shprehu besimin se të dy vendet do të vazhdojnë të kontribuojnë bashkërisht në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve miqësore dhe bashkëpunimin reciprokisht të dobishëm dhe praktik për prosperitetin e vendeve tona. Abazoviq dhe Cavuşoğlu diskutuan potencialin turistik të Malit të Zi dhe mundësitë e investimeve në bregdetin e vendit. Në këtë kontekst, ministri Cavuşoğlu veçoi komunën e Ulqinit si një zonë me potencial të jashtëzakonshëm për investime në turizëm. Duke folur për situatën aktuale gjeopolitike, siç thuhet në deklaratë, Abazoviq dhe Cavuşoğlu ranë dakord se është e nevojshme që lufta në Ukrainë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe t’i jepet fund krizës humanitare në Evropën Lindore.

SHARE