GJUROVIQ: KONSULTIMET ME GJYQTARËT E GJYKATËS KUSHTETUESE SAPO TË PËRCAKTOHET LISTA E KANDIDATËVE

Prioritet i të gjitha partive parlamentare duhet të jetë zhbllokimi i Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që të gjitha zgjedhjet të jenë plotësisht të rregullta, tha kryetarja e Kuvendit Danijela Gjuroviq. Ajo tha se e mirëpret faktin që në konkursin e fundit për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese kanë aplikuar një numër më i madh kandidatësh se sa në të kaluarën. “Kjo flet vetëm në favor të faktit se të gjitha proceset demokratike në Mal të Zi janë hapur dhe se njerëzit besojnë se ata që janë më profesionistët dhe më të përgjegjshmit do të zgjidhen me të vërtetë”, tha Gjuroviq për agjencinë MINA. Ajo tha se beson se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese do të zgjidhen sa më shpejt. “E përsëris se nuk duhet të llogarisim me numrin e gjyqtarëve që do të zgjidhen, por të zgjidhen të katër, në mënyrë që Gjykata Kushtetuese të jetë e plotë dhe të mund të marrë të gjitha vendimet në tërësi”, theksoi Gjuroviq. E pyetur nëse do të inicojë një tjetër bisedë për marrëveshjen për zgjedhjen e Gjykatës Kushtetuese, ajo u përgjigj se dialogu politik është në vazhdim. Gjuroviq tha se sapo të bëhet lista e kandidatëve, ajo do t’i thërrasë për konsultime krerët e klubeve parlamentare. “Mendoj se në radhë të parë në atë nivel duhet të negociojmë, të shohim mënyrën dhe metodologjinë se si të dalim me zgjidhjet më cilësore. Prioritet është që të kemi kandidatë në radhë të parë profesionistë për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese”, ka shtuar Gjuroviq. E pyetur se si e komenton faktin që nuk ka pasur marrëveshje për formimin e Qeverisë së 44-të, ajo tha se udhëhiqet nga udhëzimet ligjore, sipas të cilave mandatari ka një afat prej 90 ditësh për të paraqitur përbërjen dhe programin e qeverisë në Kuvend. “Dua të besoj se do të ketë më shumë mendim në atë drejtim, ato afate nuk kanë kaluar. Ka ende mundësi për të arritur një marrëveshje dhe për të formuar qeverinë e 44-të”, tha Gjuroviq.

SHARE