Ministria e Shëndetësisë e Malit të Zi iu bashkua kremtimit global të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor me qëllim që t’u ofrojë mbështetje njerëzve që përballen me këto sfida serioze shëndetësore.
Sipas departamentit, shëndeti mendor është i rëndësishëm në çdo kontekst, veçanërisht në vendin e punës ku njerëzit kalojnë një pjesë të konsiderueshme të kohës së tyre.
“Si pjesë e qasjes sonë gjithëpërfshirëse, ne jemi të përkushtuar për të krijuar një mjedis pune më të sigurt dhe më të shëndetshëm, ku të gjithë kanë burimet dhe mbështetjen për t’u kujdesur për shëndetin e tyre mendor në punë”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas tyre, prioriteti i tyre është krijimi i një ambienti pune gjithëpërfshirës, jodiskriminues, jostigmatizues dhe mbështetës për të gjithë punonjësit, veçanërisht për personat që jetojnë me probleme të shëndetit mendor apo vështirësi psikosociale.
“Është e rëndësishme të theksohet se të gjitha ekzaminimet në qendrat e shëndetit mendor janë të disponueshme pa listë pritjeje dhe se ato mund të caktohen direkt në qendra ose përmes një mjeku të përzgjedhur”, shtojnë ata në njoftim.
Ata rikujtuan se Departamenti i Psikiatrisë së Fëmijëve dhe Adoleshentëve është hapur për herë të parë në Mal të Zi.
“Kjo risi përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në ofrimin e asistencës së specializuar për pacientët më të rinj, duke u mundësuar atyre qasje në terapi dhe mbështetje adekuate që në moshë të re. Krijimi i mundësive për një qasje të personalizuar ndaj shëndetit mendor dhe gjetja e zgjidhjeve inovative në mënyrë që të përmirësohen shërbimet mendore, nuk ka alternativë”, përfundon deklarata.