NIS LEGJISLATURA X E KUVENDIT TË SHQIPËRISË / NIKOLLA ZGJEDHET KRYETARE KUVENDI

Legjislatura e re e Kuvendit të Shqipërisë e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit të këtij viti, ka filluar sot punimet me seancën e konstituimit. Seanca e parë e Legjislaturës së 10-të të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë është hapur nga deputetja më e vjetër e kësaj legjislature, Luljeta Bozo, që është zgjedhur deputete e Partisë Socialiste në Qarkun e Tiranës. Në seancë janë lexuar emrat e të gjithë deputetëve të rinj dhe më pas është ngritur komisioni i verifikimit të mandateve të deputetëve. Janë betuar në Kuvend 140 deputetët e rinj. Mandatet e tyre u verifikuan nga një komision që u ngrit më herët gjatë seancës së parë të legjislaturës së X. “Komisioni konstaton se mandatet e 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë janë të vlefshme”, tha deputetja socialiste Klotilda Bushka. Po ashtu, gjatë kësaj seance, Lindita Nikolla u zgjodh kryetare e Kuvdnit të Shqipërisë, me 79 vota PRO dhe 4 kundër. Gjatë procesit të votimit, Partia Demokratike vendosi që të mos votojnë duke grisur kështu fletat e votimit. Fituese e zgjedhjeve të 25 prillit të këtij viti rezultoi Partia Socialiste e Shqipërisë, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, e cila ka siguruar mandatin e tretë qeverisës, duke fituar 74 mandate nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë. Në vend të dytë u rendit koalicioni i udhëhequr nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), duke fituar 59 mandate. Partia tjetër opozitare, Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), fitoi 4 mandate, ndërkohë, 3 mandate i ka fituar edhe Partia Socialdemokrate (PSD), e cila ka konkurruar më vete.

SHARE