ABAZOVIQ: NËSE SHKARKOHET SEKULLOVIQ, RRËZOJ QEVERINË

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se nuk do të lejojë që policia malazeze të menaxhohet nga Serbia dhe paralajmëroi se nëse ministri i Brendshëm, Sergej Sekulloviq, shkarkohet, ai do ta përmbysë Qeverinë e kryeministrit malazez, Zdravko Krivokapiq. “I kam thënë disa herë kryeministrit dhe kolegëve të mi në Qeveri dhe e përsëris: nëse kalohet vija e kuqe – dhe me ngjarjet e fundit, mendoj se e kanë kaluar atë vijë… një hap tjetër përpara dhe nuk është e pamundur që të mos kemi një ministër të ri të Brendshëm, por nuk është e pamundur që të mos kemi [edhe] një kryeministër të ri. Unë do ta rrëzoja Qeverinë”, tha Abazoviq. Ai shtoi se do të ndalojë së mbështeturi Qeverinë, nëse mendon se ata po bëjnë diçka që është e padrejtë. “Policia nuk do të menaxhohet nga Beogradi dhe kjo nuk do të ndodhë mbi kurrizin tim”, tha Abazoviq në një intervistë për televizionin Vijesti. Shkarkimin e Sekulloviqit dhe të drejtorit të Policisë së Malit të Zi, Zoran Bërgjanin, Krivokapiqit ia kërkon partia më e madhe e koalicionit qeverisës: Fronti Demokratik. Ky subjekt ka lidhje të ngushta me Beogradin zyrtar. Kërkesat për shkarkim janë bërë pas trazirave që kanë përcjellë shugurimin e mitropolitit të Kishës Ortodoske Serbe në Mal të Zi, Joanikije, më 5 shtator. Bërgjanin dhe Sekulloviq thuhet se kanë kundërshtuar përdorimin e forcës policore për të thyer bllokadat dhe protestat, për shkak të rrezikut të lartë për paqen.

SHARE