Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe homologja e saj daneze, Mette Frederiksen, kanë bërë thirrje për një politikë më të rreptë evropiane ndaj emigracionit të paligjshëm, duke argumentuar se flukset e pakontrolluara kanë pasoja negative për shoqëritë evropiane.
Në një mesazh të përbashkët të publikuar në rrjetet sociale, dy kryeministret theksuan se, pavarësisht dallimeve të tyre politike dhe faktit se drejtojnë vende me realitete të ndryshme, ato i bashkon synimi për të mbrojtur Evropën, sigurinë e qytetarëve dhe vlerat e saj.
“Ne vijmë nga qëndrime politike shumë të ndryshme dhe sigurisht që nuk jemi dakord për gjithçka. Njëra prej nesh drejton një vend të madh në Jug, ndërsa tjetra një vend të vogël në Veri. Por ajo që na bashkon është dëshira për të mbrojtur Evropën”, thanë Meloni dhe Frederiksen.
Dy lideret deklaruan se nuk e pranojnë “emigracionin e pakontrolluar” drejt Evropës dhe mbështesin politika më të rrepta të emigracionit, si në vendet e tyre, ashtu edhe në nivel të Bashkimit Evropian.
Sipas tyre, emigracioni i paligjshëm mund të krijojë presion mbi shërbimet publike dhe të ndikojë në sigurinë e komuniteteve.
Ato vunë theksin veçanërisht te rastet kur persona që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në vendet evropiane përfshihen në krime të dhunshme apo trafik droge.
Meloni dhe Frederiksen u shprehën se qytetarët evropianë presin masa konkrete nga qeveritë dhe institucionet e BE-së.
“Për një kohë tepër të gjatë, veçanërisht njerëzit e zakonshëm kanë paguar një çmim tepër të lartë për shkak të emigracionit të pakontrolluar”, thuhet në mesazhin e tyre, ndërsa kërkohet më shumë siguri dhe mbrojtje për komunitetet.
Meloni dhe Frederiksen kanë qenë gjithashtu ndër nismëtaret e një letre të firmosur nga 22 vende evropiane, përmes së cilës u kërkua nga institucionet e Bashkimit Evropian një qasje më e ashpër ndaj politikës së emigracionit.









