Të paktën 12 persona kanë humbur jetën nga një zjarr masiv pyjor që ka përfshirë zonën e Los Gallardos, në provincën juglindore të Almerías, në Spanjë.
Katër prej viktimave janë shtetas britanikë.
Ata u gjetën të vdekur brenda automjetit të tyre, ku kishin mbetur të bllokuar nga muri i flakëve që i rrethoi papritur.
Ministri rajonal i Shëndetësisë dhe Emergjencave në Andaluzi, Antonio Sanz, shpjegoi rrethanat e tragjedisë.
“Fatkeqësisht, vendimi i disa personave për të mos ndjekur rrugët e evakuimit të përcaktuara nga shërbimet e emergjencës dhe për të zgjedhur një rrugë alternative u kthye në një kurth vdekjeprurës për ta”, u shpreh ai.
Sipas Sanz, katër viktimat u gjetën në një automjet me timon në anën e djathtë, çka tregon se bëhej fjalë për një makinë me targa britanike dhe se viktimat, me shumë gjasë, ishin shtetas britanikë.
Ministri shtoi se shtatë persona të tjerë humbën jetën pasi braktisën automjetet e tyre dhe u përpoqën të largoheshin në këmbë, duke ndjekur një rrugë që gjithashtu nuk ishte rekomanduar nga autoritetet. Rreth 150 zjarrfikës janë angazhuar në shuarjen e flakëve në provincën e Almerías, ku gjashtë persona janë lënduar, duke pësuar djegie dhe helmim nga tymi.
Dëshmitarët kanë deklaruar se zjarri mund të jetë shkaktuar nga rrëzimi i një linje elektrike, ndërsa flakët u përhapën me shpejtësi në zonën e pyllëzuar përreth.
Megjithatë, autoritetet ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht shkakun e zjarrit dhe hetimet vijojnë. Europa Jugore po përballet prej javësh me një valë të fortë të nxehti, me temperatura që në disa zona arrijnë deri në 40 gradë Celsius. K
ushtet ekstreme kanë favorizuar shpërthimin e zjarreve të shumta në Spanjë, Francë dhe Portugali, ku qindra zjarrfikës janë angazhuar në operacionet e shuarjes, ndërsa mijëra banorë janë detyruar të evakuojnë shtëpitë e tyre. Sipas shërbimit evropian të monitorimit të klimës Copernicus,
Europa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, me një ritëm rreth dy herë më të lartë se mesatarja globale.
Rritja e temperaturave po sjell valë më të shpeshta dhe më intensive të të nxehtit, duke shtuar presionin mbi burimet ujore dhe duke rritur rrezikun e zjarreve shkatërrimtare.









