Një nga gatimet më popullore dhe të preferuara në Shqipëri janë japrakët. Por gjethet e rrushit, përbërësi kryesor i tyre, nuk mund të gjenden gjatë gjithë vitit.
Pas çeljes së bistakëve të hardhive, nuk këshillohet të mblidhen më gjethet e rrushit. Kjo si pasojë e spërkatjes me produkte që e mbrojnë rrushin nga insektet dhe sëmundjet e ndryshme.
AgroWeb.org ju sjell dy mënyra për të ruajtur gjethet e rrushit, në mënyrë që të përgatisni japrakët e shijshëm kurdo që të dëshironi.
Njëra prej tyre është t’i vendosim në ngrirje dhe tjetra është konservimi i tyre në formën e ‘zahiresë’.
Ngrirja e gjetheve
Çfarë ju nevojitet:
- Gjethe të freskëta rrushi
- Spango kuzhine
- Një tenxhere e madhe
- Qese frigoriferi
Vendosni tenxheren e mbushur me ujë në zjarr, derisa uji të valojë.
Ndërkohë lajmë dhe pastrojmë gjethet e rrushit. Presim me ndihmën e një thike, bishtat e gjetheve sa më afër me gjethen, kini kujdes që mos t’i grisni.
Rendisni 10 gjethe njëra mbi tjetrën. Mblidhini në formën e një cilindri dhe lidhini me spangon e kuzhinës.
AgroWeb.org ju sugjeron që të mos i shtrëngoni shumë gjethet, pasi uji nuk do të depërtojë.
Vazhdoni në këtë mënyrë derisa të keni mbaruar me të gjitha gjethet.
Siç i keni, i kaloni në ujin e zier. Ju këshillojmë që t’i rrotulloni herë pas here, por duke treguar kujdes që mos të çahen.
Më pas i heqim nga uji, dhe i vendosim në një pjatë me letër kuzhine që të përthithet lagështira e tepërt.
Pasi jemi siguruar që janë të thata mjaftueshëm, i vendosim në qeset e frigoriferit dhe i fusim në ngrirje.
Kur të doni t’i përdorni, mjafton vetëm që t’i nxirrni nga frigoriferi 15-30 minuta para se të nisni me përgatitjen e japrakëve.
Konservimi i gjetheve të rrushit
Çfarë ju nevojitet:
- 4-5 kavanoz mesatar
- 340 gramë kripë e trashë
- 2.5 litra me ujë
- 1 vezë
- Afërsisht 360 gjethe të freskëta rrushi.
Lajmë dhe pastrojmë gjethet e rrushit. Më pas presim kërcellin e tyre, duke treguar kujdes mos të grisim gjethen.
Rendisim njëra mbi tjetrën 20 prej tyre, dhe i rrotullojmë duke formuar një cilindër. Me kujdes i vendosim brenda kavanozave me radhë.
Në një tenxhere hedhim ujin dhe kripën e zezë dhe e vendosim në zjarr që të ziejë.
Që të kuptoni nëse përzierja ka kripë mjaftueshëm, AgroWeb.org ju këshillon të kryeni një provë krejt të thjeshtë.
Merrni një vezë dhe lëshoheni ngadalë në tenxhere, nëse veza pluskon, atëherë niveli i kripës është në rregull.
Hiqeni ujin nga zjarri dhe e hedhim e ndajmë në kavanozat me gjethet e rrushit.
Hidhni mjaftueshëm që gjethet të jenë totalisht të mbuluara.
Lërini pak minuta, në mënyrë që gjethet e rrushit të përthithin ujin, dhe më pas shtojmë përsëri nga lëngu, tek ato kavanoz ku është ulur niveli i tij.
Në këtë moment ju do të shikoni se lëngu do të filloj të ndryshoj ngjyrë, do të bëhet në ngjyrën e ullirit.
Me ndihmën e një pecete vendosni kapakët e kavanozave duke i shtrënguar mirë.
Në një tenxhere vendosim kavanozat të përmbysur dhe shtojmë pak ujë sa të mbulohet kapaku i tyre.
Këtë tenxhere e vendosim në zjarr, dhe i lëmë kështu deri sa të shohim flluska që formohen në anët e kapakut.
Ato janë flluskat e ajrit të cilat lirohen për të mbyllur plotësisht kavanozin tonë.
Këto gjethe të konservuara mund të qëndrojnë deri në një vit./ AgroWeb.org