Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka kthyer për rishqyrtim Ligjin për miratimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e energjetikës me Emiratet e Bashkuara Arabe, të miratuar më 27 shkurt 2026 nga Kuvendi i Malit të Zi.
Millatoviq theksoi se vendimi nuk është kundër zhvillimit apo investimeve, por ka për qëllim mbrojtjen e Kushtetutës, sundimit të ligjit dhe interesave afatgjata të shtetit.
Ai shpjegoi se marrëveshja, në formën e miratuar, krijon probleme serioze kushtetuese dhe ligjore.
Projektet e parashikuara do të realizohen pa respektimin e legjislacionit për koncesionet, prokurimet publike dhe menaxhimin e pronës shtetërore, duke cenuar konkurrencën dhe duke favorizuar palët e huaja mbi kompanitë lokale.
Marrëveshja përjashton Emiratet nga mekanizmat e zgjidhjes së konflikteve dhe i obligon autoritetet ekzekutive të ndryshojnë ligjet për realizimin e projekteve, duke shkelur parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve. Për më tepër, qeveria merr përsipër obligime për tokë, infrastrukturë publike dhe planifikim urban pa vlerësim të qartë financiar, duke krijuar pasiguri fiskale.
Millatoviq kujtoi se një marrëveshje e ngjashme në sektorin e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të patundshme ka qenë problematike edhe për Komisionin Evropian dhe është objekt i shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka organizuar një debat publik për të adresuar dilemat kushtetuese.










