Një grup shtetesh anëtare të Bashkimit Evropian (BE) kanë propozuar që anëtarët e ardhshëm të bllokut, gjatë një periudhe kalimtare pas pranimit në bllok, të kenë të drejta të kufizuara.
Në mesin e kufizimeve kyç është propozimi që anëtarët e rinj të kenë të drejtë të kufizuar vote.
“BE-ja duhet të zhvillojë një diskutim të detajuar mbi mundësinë e kufizimeve të përkohshme, kalimtare të së drejtës së votës për shtetet e reja anëtare, veçanërisht në fushat e acquis-së së BE-së ku kërkohet unanimitet [për shembull zgjerimi, politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë, korniza shumëvjeçare financiare], duke marrë parasysh ndjeshmërinë juridike dhe politike”, thuhet në të ashtuquajturin non-paper të nënshkruar nga Gjermania, Franca dhe shtetet e Beneluksit (Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu).
Për momentin, i vetmi shtet me gjasa reale për anëtarësim të ardhshëm në BE është Mali i Zi, pasi Bashkimi Evropian ka marrë vendim për formimin e një grupi ad hoc që do të punojë në hartimin e draft-marrëveshjes së anëtarësimit.
Në dokument theksohet se situata gjeopolitike ka ndryshuar ndjeshëm që nga hyrja e Kroacisë në BE dhe se, siç thuhet, zgjerimi nuk shihet më vetëm si një proces teknik i bazuar në merita, por si një investim strategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës.
Autorët e dokumentit konsiderojnë se nevojitet një model i përgjithshëm për marrëveshjet e ardhshme të anëtarësimit dhe një katalog opsionesh që mund të përshtatet me veçoritë e secilit shtet kandidat.
Aty propozohet po ashtu hartimi i një kornize standarde për marrëveshjet e ardhshme të anëtarësimit, me mundësinë e përshtatjes për kandidatët individualë dhe sfidat që anëtarësimi i tyre mund t’i sjellë BE-së.
Këto pesë shtete anëtare të BE-së propozojnë forcimin dhe zgjatjen e vlefshmërisë së klauzolave mbrojtëse, të cilat do të zbatoheshin për çështje që lidhen me sigurinë e brendshme të BE-së, sigurinë ekonomike dhe qëndrueshmërinë ndaj ndërhyrjeve të huaja.








