FUNDJAVA SJELL RRITJE TEMPERATURASH, MJEKËT APELOJNË PËR KUJDES

Foto: Ilustrim

Pas një periudhe me freskim të përkohshëm dhe mot të paqëndrueshëm gjatë ditëve në vijim, në Mal të Zi për fundjavë pritet stabilizim i kushteve atmosferike dhe rritje graduale e temperaturave, me mot kryesisht me diell.

Meteorologu Radivoje Vuçkoviq ka bërë të ditur se e enjtja dhe e premtja do të karakterizohen nga mot i ndryshueshëm, me reshje shiu, rrebeshe dhe bubullima si pasojë e kalimit të një fronti të ftohtë.

Pas kësaj, nga e shtuna pritet përmirësim i motit dhe rritje e temperaturave, ndërsa e diela do të sjellë kushte tipike verore, veçanërisht në jug të vendit.

Edhe pse nuk parashikohet valë e nxehti, nga Instituti i Ndihmës Mjekësore Emergjente apelohet për kujdes, pasi temperaturat më të larta mund të ndikojnë në shëndetin e qytetarëve.

Rekomandohet shmangia e ekspozimit në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, përdorimi i rrobave të lehta, marrja e mjaftueshme e lëngjeve dhe mbrojtja e kokës dhe lëkurës.

Veçanërisht u bëhet thirrje personave me sëmundje kronike, të moshuarve, grave shtatzëna dhe punëtorëve që punojnë në ambiente të hapura që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë këshillat mjekësore.

Mjekët gjithashtu theksojnë dallimin mes goditjes nga dielli dhe goditjes nga nxehtësia, ku kjo e fundit është gjendje serioze dhe kërkon ndërhyrje urgjente mjekësore.

SHARE