Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka deklaruar se Mali i Zi ka bërë përparim të dukshëm në forcimin e sistemit të sigurisë kibernetike gjatë dy viteve të fundit, duke theksuar se vendi ka ndërtuar themele të forta për një sistem modern, të qëndrueshëm dhe të përshtatur me standardet evropiane dhe euroatlantike.
Sipas tij, ky progres është rezultat i një reforme të gjerë që përfshin përmirësimin e kuadrit ligjor, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe njerëzore, si dhe integrimin e infrastrukturës kritike të informacionit në nivel kombëtar.
Dukaj theksoi se siguria kibernetike nuk është vetëm çështje e sigurisë kombëtare, por edhe një pjesë e rëndësishme e procesit të integrimit evropian dhe e detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO.
Ai shtoi se Mali i Zi po synon të forcojë pozitën udhëheqëse në rajon në këtë fushë, me qëllim krijimin e një hapësire digjitale të sigurt dhe rezistente.
Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues diplomatikë dhe ndërkombëtarë, të cilët konfirmuan mbështetjen për reformat dhe zhvillimin e mëtejshëm të sigurisë kibernetike në vend.









