BE PROPOZON PAKETËN E RE TË SANKSIONEVE NDAJ RUSISË

Bashkimi Evropian ka propozuar një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, duke synuar sektorë kyç si nafta, bankat, kriptovalutat, metalet, produktet e peshkut dhe të ashtuquajturën “flotë të fshehtë” të tankerëve që shmangin kufizimet ekzistuese.

Paketa, e prezantuar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vjen në një kohë kur BE dhe aleatët e saj po kërkojnë të rrisin presionin mbi Moskën për të pranuar një armëpushim në Ukrainë.

Von der Leyen tha se Rusia “ka dështuar qartë ta nënshtrrojë Ukrainën” dhe se “çmimi që po paguan Rusia është gjithnjë e më i rëndë dhe paguhet kryesisht nga populli rus”.

Ajo shtoi se objektivi i BE-së është “të ruajë intensitetin e plotë të sanksioneve”.

Lidhur me kufirin e çmimit të naftës, ajo theksoi se mekanizmi nuk është i destinuar për të reaguar ndaj luhatjeve të jashtëzakonshme të tregut dhe propozoi shtyrjen e rishikimit deri në janar 2027, në mënyrë që “tregjet të stabilizohen, duke ruajtur presionin mbi të ardhurat e Rusisë”.

Ajo gjithashtu deklaroi se “sanksionet tona po godasin fort dhe thellë” dhe se ato po “dobësojnë bazat ekonomike të luftës së Rusisë”.

Paketa e re përfshin edhe zgjerimin e listës së zezë me anije të flotës së fshehtë, sanksione ndaj dhjetëra bankave dhe kompanive, si dhe masa të reja kufizuese në eksportet strategjike dhe udhëtimet e ushtarëve rusë që kanë marrë pjesë në luftën në Ukrainë.

Miratimi i këtyre masave kërkon unanimitet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe pritet të diskutohet në javët në vijim.

SHARE