Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka kritikuar sërish Kosovën gjatë takimit me ambasadorët dhe përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it dhe kreut të delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, duke thënë se Kosova është “fajtorja e vetme që shkakton kriza”.
Sipas njoftimit të Zyrës që udhëhiqet nga Petkoviq, rundi i ri i dialogut në Bruksel do të mbahet javën e ardhshme dhe tema kyçe do të jetë sërish vendimi i Kosovës që të ndalojë përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.
Gjatë takimit me diplomatët nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia dhe BE-ja, Petkoviq tha se çështja e përdorimit të dinarit serb në Kosovë duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe theksoi “gatishmërinë e Beogradit që nga fillimi i këtij procesi për të gjetur një kompromis, një zgjidhje të qëndrueshme dhe të pranueshme”.
Ai shtoi se Kosova po vendos “kushte të pamundshme dhe pengesa” me “qëllim që të mos arrihet kompromis dhe të thellohet edhe më tej kriza”.
Gjatë takimit me QUINT-in dhe BE-në, Petkoviq po ashtu tha se Beogradi nuk do të heqë dorë nga kërkesa që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ai tha se Asociacioni “është parakusht për t’u siguruar të drejtat individuale dhe kolektive të serbëve” në Kosovë.