PARLAMENTI EVROPIAN MIRATON REZOLUTË PËR KOSOVËN

Parlamenti Evropian (PE) ka miratuar rezolutë në të cilën përsëritet ftesa për 5 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) të cilat nuk e njohin Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë.  

Në këtë raport, i cili u miratua nga 452 eurodeputetë të cilët ishin pro, 87 kundër dhe 76 abstenuan, përshëndetet liberalizimi i vizave për Kosovën, aplikimi i Kosovës për statusin kandidat në BE si dhe i jepet mbështetje aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Në tekstin e propozuar para eurodeputetëve dhe të përpiluar nga raportuesja për Kosovën në PE, Viola von Cramon, shprehet keqardhje se Kosova është aktualisht e vetmja demokraci evropiane që nuk është ende anëtare e Këshillit të Evropës, derisa i bёhet thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë presion ndaj Serbisë që të përmbahet nga përpjekjet për të izoluar vendin fqinj, Kosovën, nga skena ndërkombëtare duke bërë fushatë kundër njohjes së saj ose duke e përjashtuar vendin nga organizatat ndërkombëtare.

Këtë rezolutë e ka përshëndetur Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila tha se raporti “evidenton suksese dhe mesazhe pozitive për vendin”.

“Theksohet dhe se Parlamenti Evropian mirëpret aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, duke bërë thirrje për prezantimin e pyetësorit dhe përgatitjen e opinionit mbi aplikimin dhe rithekson mbështetjen për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës, PFP (Partneritetin për Paqe) e NATO-s dhe INTERPOL”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Qeveria theksoi po ashtu se raporti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi e konsideron Kosovën si palë të përkushtuar dhe konstruktive derisa “dënon Serbinë për veprimet përshkallëzuese të aktorëve të sponsorizuar nga ta, duke përfshirë bllokadat e paligjshme, sulmet e dhunshme dhe kërcënimin për veprime ushtarake si dhe fushatën e tyre të çnjohjes dhe votën kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”.

Kjo ёshtё rezoluta e fundit nё mandatin ekzistues tё PE-së. Vitin tjetёr mbahen zgjedhjet evropiane dhe rrjedhimisht do kenё njё strukturё tё re tё eurodeputetёve.

SHARE