VOTIMI PËR PRESIDENTIN MË 16 MAJ / PASDITJA E 15 MAJIT ËSHTË AFATI I FUNDIT PËR DORËZIMIN E KANDIDATËVE

Vetëm me votat e shumicës socialiste raundi i parë i votimit për zgjedhjen e presidentit të ri, u caktua  të jetë 16 maj ndërkohë kandidaturat do të depozitohen më 15 maj. Tryeza e dialogut, në konferencën e kryetarëve në kryesinë e kuvendit  për modalitetet e zgjedhjes së kreut të shtetit,  nisën në një klimë të formë dyshimi dhe mosbesimi nga opozita. “Ju e keni zgjedhur presidentin. Na doni ne si buzkuq për tja treguar Evropës.” “Proces i  çuditshëm. Procesi është në kokën e një individi që do të argëtohet. Kemi emra dinjitoz për presidentin. unë dua një president politik. Opozita duhet të japë një kandidaturë alternative.  Duhet të na dëgjoni. Nëse nuk doni na e kurseni të gjithë këtë. Zgjidheni vetë.” Shumica socialiste ritheksoi gatishmërinë për të dëgjuar me seriozitet propozimet e opozitës por jo duke e vënë me shpatulla pas muri drejt faktit të kryer. Me caktimin e datës për votimin e parë në kuvend saga e zgjedhjes së presidentit të ri, hynë në fazën më interesante, atë të emrave. Edi Rama thotë që ende nuk e ka një emër ndërkohë edhe opozita e Enkelejd Alibeajt nguron të propozojë emra konkretë. Me sa duket palët janë duke pritur qetësisht njëra tjetrën se kush do ta propozojë i pari emrin e kandidatit ose kandidatëve për raundin e parë të votimit që kërkon 84 vota. Numërimi mbrapsht filloi.

SHARE