BERZH PARASHIKON TKURRJE TË EKONOMISË UKRAINASE GJATË KËTIJ VITI, E “PËSON” EDHE RUSIA

Ekonomia e Ukrainës pritet të tkurret për pothuajse një të tretën gjatë këtij viti, teksa pushtimi rus po vazhdon, tha Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). BERZH vlerëson se prodhimi i Ukrainës do të tkurret për 30% apo 10% më shumë krahasuar me një parashikim që kishte dhënë kjo bankë në mars, menjëherë pas nisjes së luftës. Në hapje të konferencës vjetore në Marakesh të Marokut., BERZH tha ekonomia e Ukrainës do të rimëkëmbej për 25 për qind më 2023, që është një parashikim më i lartë se në muajin mars, kur kishte thënë se rimëkëmbja do të ishte për 23 për qind. Edhe ekonomia e Rusisë, që është goditur nga sanksionet perëndimore për shkak të pushtimit të Ukrainës, do të tkurret për 10 për qind gjatë këtij viti dhe do të ketë zero rritje vitin e ardhshëm, ashtu siç kishte parashikuar kjo bankë në muajin mars. Bllokadat e shkaktuara nga ushtria ruse kanë goditur rëndë sektorin kyç bujqësor të Ukrainës, pasi ky shtet është një prej eksportuesve kryesor të grurit dhe vajit të lulediellit.

SHARE