PE: PLANI MELONI-RAMA I APLIKUESHËM EDHE PËR VENDE TË TJERA

Bashkimi Evropian i hapi rrugë idesë për dërgimin e azilkërkuesve në shtete të treta të sigurta jo anëtare siç po vepron Italia me Shqipërinë.

Eurodeputetët miratuan paktin e ri për migracionin ku refuzuan modelin britanik që synon zhvendosjen e emigrantëve të parregullt në Ruanda si vendi pritës i përhershëm i tyre. Kjo ide e britanikëve bie ndesh me Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Vetëm Austria dhe Danimarka kanë shprehur interes për të ndjekur rrugën e Britanisë së Madhe. Marrëveshja e Romës me Tiranën përshkruan transferimet e emigrantëve të shpëtuar në det në qendrat e ngritura në Shqipëri që do të financohen dhe drejtohen nga Italia, e cila do të mbajë përgjegjësinë për vlerësimin e kërkesave për azil.

Von der Leyen e ka vlerësuar këtë model si një shembull të të menduarit jashtë BE-së. Ajo argumentoi se më pak emigrantë të parregullt do të përpiqeshin të arrinin në Bashkimin Evropian nëse është e qartë se brenda 48 orëve ata do të dërgoheshin në një vend të sigurt jashtë BE-së.

Eurodeputetët theksuan se marrëveshja mes Ramës dhe Melonit mund të shërbejë si model i marrëveshjes dypalëshe që vendet e BE-së mund të arrijnë me shtetet ballkanike që shpresojnë të anëtaresohen duke sjellë si shembull mes Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë. Sipas tyre, shtetet kandidate do të jepnin në këtë mënyrë një tregues të qartë se janë gati të marrin pjesë në një formë solidariteti evropian në trajtimin e azilit.

Pakti për migracionin që ashpërson procedurat e hyrjes ne BE për azilkërkuesit nuk do të hyjë në fuqi deri në vitin 2026.

PE ka votuar paktin për migracionin që përfshin një rishikim të gjerë të politikave të imigracionit duke kërkuar që të gjitha shtetet anëtare të ndajnë përgjegjësinë.

SHARE