OSBE: 58 PËR QIND E QYTETARËVE BESOJNË SE ZGJEDHJET JANË TË LIRA DHE TË NDERSHME

Në Mal të Zi, 58 për qind e qytetarëve besojnë se zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme, që është 11 për qind më shumë se në vitin 2022, sipas një sondazhi për besimin e opinionit në zgjedhjet në Mal të Zi, të kryer nga misioni i OSBE-së.

Hulumtimi është kryer nga agjencia Damar në një kampion kombëtar përfaqësues prej 1.2 mijë të anketuarve, vitin e kaluar, pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.

“Anketa mbi besimin e opinionit në zgjedhjet në Mal të Zi tregoi se 58 për qind e qytetarëve besojnë se zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme, krahasuar me 47 për qind në vitin 2022”, njoftoi misioni i OSBE-së.

Sipas hulumtimit thuhet se 32 për qind e qytetarëve mendojnë se në Mal të Zi nevojitet reforma zgjedhore, ndërsa gati gjysma e tyre, 46 për qind, mendojnë se është e nevojshme të zbatohet urgjentisht reforma zgjedhore.

“Raporti tregon se gjashtë nga dhjetë persona besojnë se anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) nuk duhet të jenë të lidhur me partitë politike, dhe pothuajse 69 për qind thanë se partitë politike kanë ndikim në anëtarët e komisioneve zgjedhore”, theksuan nga misioni i OSBE-së.

Sipas tyre, anketa ka treguar se 31 për qind e votuesve janë përgjithësisht të kënaqur me procesin e votimit, pak më shumë se në vitin 2022, kur 26 për qind thanë se ishin të kënaqur.

Kryetari i KSHZ-së Nikolla Mugosha falënderoi misionin për monitorimin e qëndrimeve të opinionit për aspekte të ndryshme të zgjedhjeve.

“KSHZ është e gatshme të bashkëpunojë me Komisionin për Reformë Zgjedhore të Kuvendit për përmirësimin e legjislacionit zgjedhor dhe për të siguruar që besimi i opinionit në zgjedhje të vazhdojë të rritet”, tha Mugosha.

SHARE