NËNKRYETARIN E KUVENDIT NUK KANË NEVOJË TA PROPOZOJNË TË GJITHA PARTITË E PAKICAVE

Deputetët e koalicionit qeverisës kanë dorëzuar në procedurë parlamentare propozim-vendimin për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit me të cilin kërkojnë që nënkryetari i Kuvendit nga radhët e partive të pakicës mund të propozohet nga një përfaqësues i një partie pakicë.

Propozimi është nënshkruar nga deputetët, kryetarët e klubeve parlamentare të Lëvizjes „Evropa Tani“ Vasilije Çarapiq, Demokracisë së Re Serbe Sllaven Radunoviq, Demokratëve Boris Bogdanoviq, Partisë Popullore Demokratike Millan Knezheviq, Partisë Popullore Socialiste Bogdan Bozhoviq dhe Forumit Shqiptar Nikollë Camaj.

Të rikujtojmë se Kuvendi ka dy nënkryetarë, por një nënkryetar nga radhët e partive pakicë ende nuk është zgjedhur.

Partitë në pushtet propozojnë që neni 19, paragrafi 2 i Rregullores të ndryshohet si vijon: “Me përjashtim të paragrafit 1 të këtij neni, kandidati për nënkryetar të Kuvendit, i cili zgjidhet nga radhët e përfaqësuesve të partive pakicë mund të propozohet nga një deputet i një partie pakicë, klubi i përfaqësuesve të partive pakicë ose partia parlamentare pakicë”.

Ata theksojnë se arsyet e miratimit të këtij amendamenti në Rregulloren e Kuvendit të Malit të Zi janë t’u mundësohet anëtarëve të partive pakicë që të kandidojnë për postin e nënkryetarit të Kuvendit pa pasur nevojë për mbështetje unanime nga të gjithë anëtarët e partive pakicë.

“Kjo mund të justifikohet ligjërisht me nevojën për të garantuar të drejta dhe mundësi të barabarta për të gjithë deputetët, promovimin e parimeve demokratike dhe përafrimin me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Gjithashtu, ky amendament mund të kontribuojë në efikasitet dhe pluralizëm më të madh në punën e Kuvendit, i cili është në interesin e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi”, thuhet në propozim-vendimin për ndryshimin e Rregullores.

SHARE