MITSOTAKIS: BE-ja DUHET TË VLERËSOJË REZULTATET E MALIT TË ZI

„Mali i Zi është një pikë e ndritshme në Ballkanin Perëndimor. Bashkimi Evropian duhet të vlerësojë rezultatet tuaja të padiskutueshme dhe t’u përgjigjet atyre në mënyrë adekuate,“ tha kryeministri i Greqisë Kirjakos Mitsotakis.

„Në një kohë të shkurtër keni bërë shumë më tepër se vendet e tjera në këtë proces,“ tha kryeministri i Greqisë në takimin me kryeministrin e Malit të Zi Millojko Spajiq, i cili ndodhet për një vizitë pune në Republikën e Greqisë.

Në takim, në të cilin bashkëpunimi ekonomik ishte një nga temat më të rëndësishme, u vlerësua se forcimi i lidhjeve në komunikacion është prioritet i dyanshëm dhe se duhet të punohet intensivisht në këtë drejtim.

Bashkëbiseduesit ranë dakord që Mali i Zi ka potencialin për ta markuar veten edhe më fuqishëm si destinacion investimi dhe në këtë drejtim është i nevojshëm bashkëpunimi më i ngushtë me investitorët ekzistues, të cilët janë ambasadorët më të mirë.

Pas daljes nga kriza, biznesmenët grekë janë edhe më të interesuar të marrin pjesë në tenderat ndërkombëtarë dhe investimet direkte në Ballkanin Perëndimor, mundësitë e të cilave, siç paralajmëroi kryeministri i Greqisë, i njohin mirë.

Në këtë drejtim, kryeministri i Greqisë në periudhën e ardhshme do të vizitojë Malin e Zi me një delegacion biznesi për të diskutuar për investimet e mundshme dhe dinamikën e shkëmbimeve ekonomike.

Kryeministri i Malit të Zi e njoftoi kryeministrin Mitsotakis për aktivitetet e Qeverisë në planin e reformave dhe tha se në gjashtë muajt e fundit qëndrimi i Malit të Zi ka ndryshuar dukshëm në favor të një perspektive të caktuar evropiane.

“Do të shfrytëzojmë momentin e Brukselit zyrtar dhe të vendeve anëtare për të intensifikuar negociatat dhe për ta çuar procesin e anëtarësimit në fazën përfundimtare”, tha kryeministri.

Të dy vendet ndajnë interesa të përbashkëta dhe është momenti i duhur që ato të lidhen më fort për të vënë të gjitha potencialet në shërbim të zhvillimit të përbashkët, veçanërisht në fushën e transportit, detit, turizmit dhe bujqësisë.

Në takim ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Jashtme, Filip Ivanoviq.

SHARE