ABAZOVIQ: NEVOJA PËR HUAMARRJE DO TË JETË MË E ULËT

Mali i Zi këtë vit duhet të marrë më pak borxh se sa është parashikuar në buxhetin e këtij viti, sepse nga sezoni turistik veror priten rezultate të mira, ka paralajmëruar kryeministri Dritan Abazoviq.

“Atë njoftimin e parë e kemi pasur nga ministri i Financave kur po miratohej buxheti. Mendojmë se do të jetë në një nivel më të vogël, sepse kemi bërë një plan ambicioz për të gjithë vitin, e sidomos për sezonin e verës. Besojmë se këtë vit mund të shkojmë për një rekord, kjo është ambicia jonë dhe duam ta kalojmë vitin 2019 për sa i përket të ardhurave nga turizmi”, tha Abazoviq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Villa Goricë.

Sipas tij, sa më të larta të jenë të ardhurat, aq më e lartë do të jetë mbledhja e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe taksave të tjera, dhe për rrjedhojë edhe nevoja për huamarrje do të jetë më e ulët.

“Nuk do të flisja për shifrat në cilin fushë do të jetë. Është më e rëndësishme që qytetarët të kuptojnë se është thelbësore që Mali i Zi të rrisë produktin e brendshëm bruto (PBB), sepse sigurisht që në afat të mesëm do të jemi vazhdimisht në një situatë ku duhet të hyjmë në disa marrëveshje kreditimi”, tha Abazoviq.

Ai shpjegoi se kjo nuk është karakteristikë vetëm e Malit të Zi, por edhe e shumë vendeve të tjera, duke përfshirë edhe vendet e mëdha të Bashkimit Evropian (BE).

“Gjëja më e rëndësishme është që asetet ekonomike në Mal të Zi po funksionojnë”, tha Abazoviq.

SHARE