TËRMETI I FUQISHËM SHKUND ITALINË/NJERËZIT DALIN NË RRUGË, MBYLLEN SHKOLLAT

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 5.7 është regjistruar mëngjesin e së mërkurës në Marke të Italisë pranë brigjeve të Pesaros. Lëkundja që zgjati disa sekonda shkaktoi panik te banorët e zonës rreth orës 07 të mëngjesit dhe u pasua nga disa paslëkundje, fatmirësisht me magnitudë më të vogël. Raportime vijnë nga shumë rajone të Italisë nga Roma në Alto Adige që kanë ndjerë tërmetin, por deri në këto moment nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme të mëdha. Qindra njerëz kanë pushtuar rrugët duke braktisur banesat, ndërkohë që zjarrfikësit dhe ndihma e shpejtë ndodhen në gatishmëri për cdo sinjalizim të nevojshëm. Momentalisht, për motive sigurie është ndërprerë trafiku hekurudhor në Ankona në linjën e Adriatikut deri në kontrollin e linjës së hekurudhës për të parë nëse është dëmtuar nga tërmeti. Ndërsa kryebashkiaku i Sinexhalla në Ankona ka vendosur mbylljen e shkollave për ditën e sotme dhe kontrollin e ashensorëve në dhjetëra pallate.

SHARE