MAQEDONIA E VERIUT, SHQIPËRIA DHE SERBIA ME MEMORANDUM BASHKËPUNIMI PËR COVID19

Shtetasit e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë do të mund të lëvizin në këto vende pa test negativ për koronavirus, dhe nëse preken nga sëmundja COVID-19, që shkakton ky virus, do të mund të marrin shërbime në spitalet e këtyre tre vendeve. Shteti ku trajtohet pacienti eventual, obligohet t’i mbulojë shpenzimet e trajtimit. Kështu thuhet në memorandumin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit midis Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, për bashkëpunimin në luftën kundër COVID-19. Memorandumi është arritur në kuadër të takimit koordinativ online, të njohur si konferenca për ‘Shengenin Ballkanik’, në cilën morën pjesë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë, Edi Rama e Ana Bërnabiq, në prani të ministrave të Shëndetësisë të këtyre tri vendeve. Njëherësh është arritur dhe marrëveshje ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Serbisë mbi lëvizjen e lirë të qytetarëve vetëm me karta të identitetit. Me këtë rast, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev ka theksuar se Republika e Kosovës tashmë ka pranuar ftesën për bashkëpunim rajonal. “Më vjen mirë që edhe Kosova ka pranuar ftesën dhe i është bashkangjitur procesit, për thellim të bashkëpunimit rajonal, ndërsa besoj që shumë shpejt do të na bashkëngjiten edhe Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi”, ka theksuar Zaev, i cili ka qenë nikoqir i kësaj konference. Me këtë dokument të trija vendet, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia, zotohen se do të shkëmbejnë përvoja dhe do të bashkëpunojnë ngushtë në luftën kundër koronavirusit. Njëherësh është theksuar dhe rëndësia e vazhdimit të shkëmbimit ekonomik dhe tregtar mes këtyre shteteve.  

SHARE