Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, deklaroi në konferencën “Ballkani takohet në Trieste” se Shqipëria synon të përfundojë të gjithë kapitujt e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri vitin e ardhshëm. A
i theksoi se zgjerimi nuk nënkupton vetëm rritjen e numrit të vendeve anëtare, por një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më të begatë.
Hoxha vlerësoi ndryshimin e qasjes së BE-së ndaj zgjerimit, duke kujtuar premtimin e vitit 2003 për integrimin e Ballkanit Perëndimor.
Ai nënvizoi se procesi i negociatave është “ura” që lidh Shqipërinë me objektivin e anëtarësimit dhe se vendi duhet të vijojë reformat në shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit dhe forcimin e institucioneve.
Duke folur për rajonin, Hoxha mbështeti Kosovën si shtet të pavarur dhe kërkoi forcimin e institucioneve, demokracisë dhe sovranitetit të saj.
Sa i përket Serbisë, ai tha se pavarësisht dallimeve të thella për Kosovën, bashkëpunimi rajonal duhet të vijojë në fusha me interes të përbashkët. Hoxha dënoi gjithashtu glorifikimin e Ratko Mlladiqit në Serbi, duke e cilësuar si fyerje ndaj viktimave dhe pengesë për pajtimin.
Në konferencë u diskutua edhe për luftën kundër dezinformimit, komunikimin strategjik dhe lirinë e shtypit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve evropiane, organizatave ndërkombëtare dhe agjencive të lajmeve nga Ballkani dhe Evropa Juglindore.









