Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj tha se janë duke punuar vazhdimisht që sistemi informativ të funksionalizohet sa më shpejt pas sulmit kibernetik. “Shpresoj që edhe ne të kemi shërbime të caktuara gjatë ditës, këtë po e bëjmë me partnerët tanë nga Byroja e Hetimeve Federale dhe Franca”, tha Dukaj në seancën e Qeverisë. Ai tha se në ditët në vijim presin ndihmën e ekspertëve nga Britania e Madhe. “Ky është një sulm shumë serioz dhe ne do ta zbulojmë shkallën e tij. Një sulm që asnjë vend nuk e ka përjetuar ndonjëherë, një sulm që kushton miliona dhe qëndron pas të ashtuquajturit grup kriminal “Cuba Ransomware”, tha Dukaj. Ai po ashtu ka bërë të ditur se Mali i Zi deri në fund të vitit do të ketë amendamentuar Ligjin për Sigurinë e Informacionit, i cili nënkupton themelimin e Agjencisë për Siguri Kibernetike. “Ne tashmë kemi angazhuar ekspertë që punojnë nga Kroacia për ndryshimin e Ligjit për sigurinë e informacionit. Deri në fund të vitit do të kemi atë ligj që nënkupton formimin e Agjencisë për Sigurinë Kibernetike, në vend të CIRT. Kjo është paraparë në Strategjinë për Sigurinë e Informacionit. Ne si një vend serioz duhet të krijojmë një sistem mbrojtjeje 24/7. Shpresoj që me mbështetjen e Qeverisë dhe Ministrisë së Financave ta krijojmë shpejt, dhe të krijojmë një rrjet që do të jetë i sigurt, kjo nënkupton një administratë të plotë shtetërore”, tha Dukaj.