BE-ja PEZULLON PLOTËSISHT MARRËVESHJEN PËR LEHTËSIMIN E VIZAVE ME RUSINË

Bashkimi Evropian (BE) sot pezulloi plotësisht marrëveshjen për lehtësimin e vizave me Rusinë. “Shtetet anëtare të BE-së miratuan zyrtarisht pezullimin e marrëveshjes së bllokut për lehtësimin e vizave me Rusinë pas marrëveshjes politike të arritur midis ministrave të jashtëm të BE-së javën e kaluar”, thuhet në deklaratën e Këshillit të Bashkimit Evropian. Vendimi, i cili do të publikohet të premten në ‘Gazetën Zyrtare’ të BE-së, do të hyjë në fuqi nga 12 shtatori i këtij viti. Sipas vendimit të ri, taksa e vizave do të rritet nga 35 në 80 euro, do të kërkohet dokumentacion shtesë, shqyrtimi i vizave do të zgjasë më shumë dhe do të vendosen rregulla më kufizuese për dhënien e vizave me shumë hyrje. “Marrëveshja për lehtësimin e dhënies së vizave për shtetasit e partnerëve të besueshëm me të cilët ndajmë vlerat e përbashkëta mundëson aksesin preferencial në BE”, tha Vit Rakusan, ministri i Brendshëm çek. Sipas tij, “për shkak të luftës agresive të paprovokuar dhe të pajustifikuar, si dhe me sulme pa dallim ndaj popullatës civile, Rusia rrënoi besimin dhe kërcënoi vlerat themelore të komunitetit tonë ndërkombëtar”. “Vendimi i sotëm është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të Rusisë dhe është dëshmi e mëtejshme e angazhimit tonë të palëkundur ndaj Ukrainës dhe popullit të saj”, deklaroi ndër të tjera Rakusan.

SHARE