OSMANI KËRKON NDIHMËN E SHBA-së PËR PËRSHPEJTIMIN E ANËTARËSIMIT TË KOSOVËS NË NATO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka kërkuar ndihmën e Shteteve të Bashkuarapër përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), gjatë një takimi me senatorin amerikan, Jack Reed, të martën në Prishtinë.

Osmani tha më 8 gusht se SHBA-ja “nuk kanë aleate dhe mike më të madhe në rajon se sa Republikën e Kosovës”, duke e cilësuar popullin kosovar si “më proamerikan në Evropë dhe në botë”.

Ajo e falënderoi senatorin Reed, i cili është kryesues i Komisionit të Forcave të Armatosura në Senatin e SHBA-së, për mbështetjen e ShBA-ve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), respektivisht përfshirjen e Kosovës në Asistencën e Trajnimit Ushtarak të SHBA-së me Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024.

”Kosova synon për anëtarësim në NATO dhe përfshirje në Partneritet për Paqe (PfP), ndaj është e rëndësishme edhe e domosdoshme mbështetja e SHBA-së në përshpejtimin e këtij procesi. Shpresa jonë është që Kosova të jetë sa më parë në PfP si hap që i paraprinë anëtarësimit në NATO”, tha Osmani.

Në lidhje me zhvillimet politike dhe të sigurisë, sipas njoftimit, presidentja theksoi e Kosova ka bërë hapa për shtensionimin e situatës në veriun e vendit, si dhe “ka vërë në dukje veprimet destabilizuese të Serbisë dhe bashkëpunimin e saj me Rusinë.”

“Ajo, po ashtu ka theksuar se Kosova është shtet multietnik, Kushtetuta e së cilës garanton nivel të lartë të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të gjitha komuniteteve. Sipas Presidentes Osmani këto të drejta dhe liri, janë thelbi i vlerave të shoqërisë së Kosovës dhe si të tilla duhet të mbeten të paprekura”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim Senatorin amerikan, Jack Reed, njëherësh kryetar i Komisionit të Forcave të Armatosura në Senatin e ShBA-së, i shoqëruar nga Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier. 

Kryeministri falënderoi Senatorin Reed për mbështetjen e pandërprerë të ShBA-së ndaj Kosovës në çdo fazë të çlirimit, pavarësimit dhe zhvillimit.

Në takim, ku ishte i pranishëm edhe Ministri i ri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kryeministri Kurti vendosi theksin te rritja e buxhetit në fushën e mbrojtjes, ngritjen e kapaciteteve të ushtrisë, dhe bashkëpunimin e afërt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në realizimin e misioneve jashtë vendit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, siç ishte rasti me bashkë-zbarkimin me Gardën Kombëtare të Iowas në Kuvajt.

SHARE