DANILLOVIQ: SPAJIQ KA MBËSHTETJEN TONË, QEVERINË TA MBËSHTESIN TË PAKTËN 49 DEPUTETË

Kryetari i Malit të Zi të Bashkuar bëri të ditur se lideri i Lëvizjes „Evropa Tani“ Millojko Spajiq ka mbështetjen e asaj partie për të qenë mandatar për përbërjen e qeverisë së re.

Pas konsultimeve me presidentin Jakov Millatoviq, Danilloviq theksoi se ata dëshirojnë ta mbështesin qeverinë dhe se shpresojnë që të paktën 49 deputetë ta mbështesin atë.

“Shpresojmë që të mos jetë një shumicë e ngushtë, por të krijohet një qeveri që do të mbështetet nga të paktën 49 deputetë, kjo do të përshpejtonte gjërat në vendimmarrje,“ tha Danilloviq.

I pyetur se kush do të donin të jetë në qeveri, ai tha se kjo ishte një pyetje e presidentit.

“Nuk na shqetësojnë partitë politike që janë aktualisht më të shkathëtat, qofshin ato partitë e pakicave… E vetmja gjë që nuk na intereson është bashkëpunimi me listën e udhëhequr nga PDS-ja, të gjithë të tjerët që duan të jenë në linjë me vullnetin politik të shumicës janë të mirëseardhur për ne”, tha Danilloviq.

Ai shtoi gjithashtu se Mali i Zi i Bashkuar është deklaruar qartë, pasi ata ishin në listën e koalicionit me Lëvizjen “Evropa Tani”.

“Ne kemi luftuar që lista jonë të ketë rezultat sa më të mirë, që bartësi i listës sonë, Millojko Spajiq, të jetë mandatar dhe për këtë arsye ai ka mbështetjen tonë“.

Danilloviq falënderoi presidentin e vendit për futjen e një praktike të re në mënyrë që “të vegjëlit dhe të mëdhejt të marrin pjesë në bisedime për zgjedhjen e mandatarit.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka përfunduar konsultimet formale për zgjedhjen e mandatarit për formimin e qeverisë së 44-të të Malit të Zi.

“Për gati dy javë konsultime, pata rastin të bisedoj me përfaqësues të 18 subjekteve politike në Kuvend për prioritetet, strukturën, modelin dhe mbështetjen për formimin e Qeverisë së re”, ka shkruar Millatoviq.

SHARE