PROPOZOHET LIGJI I RI PËR TVSH-në, NË PËRPUTHJE ME STANDARDET E BE-së

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Ministri i Financave i Malit të Zi, Novica Vukoviq, prezantoi në Kuvend projektligjin e ri për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), duke theksuar se ai synon harmonizimin e plotë të sistemit tatimor me standardet e Bashkimit Evropian dhe modernizimin e administrimit të TVSH-së.

Sipas tij, ligji aktual, i miratuar në vitin 2002, nuk është më i mjaftueshëm për shkak të zhvillimit të ekonomisë digjitale dhe rritjes së tregtisë ndërkufitare.

Projektligji parashikon zgjidhje moderne, si faturimin elektronik, raportimin digjital dhe forcimin e luftës kundër evazionit fiskal, pa ndryshuar normat aktuale të TVSH-së, çka do të thotë se qytetarët dhe bizneset nuk do të përballen me rritje të tatimeve.

Në të njëjtën seancë u diskutuan edhe ndryshimet në Ligjin për Administratën Tatimore, të cilat forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin automatik të informacionit tatimor me vendet e BE-së.

Përfaqësuesit e shumicës parlamentare vlerësuan se ligji është një hap i rëndësishëm drejt mbylljes së Kapitullit 16 të negociatave me BE-në, ndërsa opozita theksoi se, përveç miratimit të ligjeve, rëndësi vendimtare ka edhe zbatimi i tyre në praktikë.

SHARE