Shqipëria do të shfrytëzojë të gjithë mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030. Ky ishte mesazhi që përcolli zëvendëskryeministrja Albana Koçiu gjatë një takimi me përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe të Bashkimit Evropian për planin e rritjes.
“Nga ana jonë, jemi plotësisht të angazhuar për të shfrytëzuar në maksimum këtë dritare unike dhe historike mundësish. Është e vetëkuptueshme që integrimi evropian nuk është thjesht një prioritet mes shumë të tjerëve. Ai është projekti kombëtar qendror i këtij brezi. Për herë të parë në histori, falë reformave të ndërmarra, kemi përpara një kalendar të qartë politik: mbylljen e negociatave teknike deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë deri në vitin 2030”, tha Koçiu.
Numri dy i qeverisë foli edhe për Planin e Rritjes, të cilin e cilësoi si një instrument që ka ndihmuar në përshpejtimin e negociatave me BE-në.
“Plani i Rritjes është shndërruar gjithashtu në një shumëfishues force për procesin e negociatave të Shqipërisë me BE-në, duke përshpejtuar përafrimin thelbësor në fusha që lidhen drejtpërdrejt me procesin e shqyrtimit dhe grupimit të kapitujve sipas metodologjisë së re të orientuar drejt rritjes”, tha Koçiu.
Nga ana tjetër, drejtoresha e SASPAC theksoi se deri më tani janë përmbushur reformat, përmes të cilave Shqipëria ka përthithur rreth 212 milionë euro nga Plani i Rritjes.
“Komisioni Evropian konfirmoi 21 nga 41 hapat, duke e vendosur Shqipërinë në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor për zbatim. Nga ai cikël nxorëm mësime të rëndësishme, forcuam mekanizmin kombëtar të verifikimit paraprak dhe në janar 2026 dorëzuam një paketë të dytë për periudhën e raportimit të dhjetorit 2025. Komisioni konfirmoi 12 nga 21 hapat e raportuar dhe disbursoi edhe 49 milionë euro të tjera. Në total, fondet e zhbllokuara për Shqipërinë arrijnë mbi 212.8 milionë euro, më shumë se çdo vend tjetër në Ballkanin Perëndimor”, tha Eridana Çano.
Shqipëria pritet që të përfitojë në total rreth 922 milionë euro nga Plani i Rritjes për Ballkanin perëndimor, ku një pjesë do të jenë grante, ndërsa pjesa tjetër kredi me kushte të favorshme.









