KURTI: TË ZBATOHET MARRËVESHJA PËR NORMALIZIM

Kosova dhe Serbia kanë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve që duhet ta zbatojnë, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti, më 9 qershor, në konferencën “Kroacia Evropiane: retrospektiva dhe perspektiva”, në Dubrovnik.

Kurti shtoi se Kosova “duhet të përballet me ekstremistët e dhunshëm, ultra-nacionalistët, të djathtët që besojnë në ‘botën serbe’ dhe e shikojnë atë me botën ruse… këta janë njerëz që e admirojnë Millosheviqin apo Putinin”, theksoi ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE), më herët, i kanë bërë thirrje Kurtit që të largojë kryetarët e komunave nga objektet komunale në komunat veriore dhe njësitë speciale të policisë, të cilat ndihmuan vendosjen e tyre në ato objekte.

Kryeministri i Kosovës tha se vendit të tij “i duhet sundimi i ligjit dhe një datë për zgjedhje”.

Ai shtoi se ndërkohë, Kosova mund të zvogëlojë praninë e njësive speciale të policisë nëse “ekstremistët e dhunshëm” i ndalin trazirat.

“Mendoj se kjo është rruga përpara, së bashku me dialogun intensiv për zbatimin e marrëveshjes, sepse ne kemi një marrëveshje që duhet ta zbatojmë”, tha Kurti.

Në mars, Kosova dhe Serbia u pajtuan për zbatimin e marrëveshjes së BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, e cila “de facto” do të sillte njohje reciproke, por presidenti serb Alleksandar Vuçiq refuzoi ta nënshkruajë atë.

“Kjo është një arritje e madhe e BE-së. Kemi arritur në një situatë ku Kosova dhe Serbia përfundimisht kanë një marrëveshje për normalizim”, ka shtuar Kurti. Kryeministri i Kosovës tha në Dubrovnik se “Bashkimi Evropian është projekti më i rëndësishëm i paqes dhe prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore” dhe se ai iu bashkua dialogut me Serbinë, sepse ishte “organizuar nga Bashkimi Evropian, i cili i lehtëson bisedimet”.

SHARE