URA QË DO LIDHË VELIPOJËN ME ULQININ / RAMA: SHKURTIN E ARDHSHËM FILLON PUNA ATJE

Gjatë fjalës së tij në Foltoren e Parlamentit, Kryeministri i vendit Edi Rama ka folur në lidhje me projektin e urës mbi Bunë që do të lidhë Velipojën me Ulqinin. Kryeministri Rama ka deklaruar se puna për këtë urë do të fillojë në muajin shkurt të vitit të ardhshëm. „Projekti i Urës së Bunës është realisht një projekt shumë i rëndësishëm dhe për atë zonë të përbashkët mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, mjafton 1 km urë për të evituar një kapje veshit mbrapsht prej 70 km. Në Shkurt të vitit të ardhshëm, së bashku me kryeministrin e Malit të Zi të jem atje për të filluar puna për ndërtimin e urës. Punët publike kërkojnë kohën e tyre, po ndeshen me një situatë jo të lehtë për shkak të rritjes së çmimeve. Shkurtin e ardhshëm fillon puna atje,“ theksoi Rama. Projekti paraprak për këtë urë u prezantua në samitin e Ballkanit të Hapur në Ohër përpara kryeministrave të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Për kryeministrin Rama një projekt i tillë është përkthim i asaj që bën Ballkani i Hapur duke ndërtuar ura mes vendeve të rajonit.

SHARE