KURTI I PËRGJIGJET NEGATIVISHT VUÇIQIT PËR KËMBIMIN E LINJITIT ME ENERGJI ELEKTRIKE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur negativisht propozimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për këmbim të energjisë elektrike me linjit. “Kjo është një përpjekje e presidentit autoritar të Serbisë që të kalojë nga projekti i dështuar i shkëmbimit të territoreve në këtë të shkëmbimit të qymyrit. Pra në vend të territorit të Kosovës tash po kërkon qymyr nga Kosova. Por ai duhet që ta njohë pavarësinë e Kosovës duhet t`i pranojë krimet e kryera nga regjimi i Millosheviqit në Kosovë dhe duhet të distancohet edhe nga presidenti despotik Putin përveçse nga Milloveshiqi ministër i së cilit pati qenë atëherë”, ka thënë Kurti të enjten, pas dorëzimit të disa medaljeve të njësisë speciale të EULEX-it. Të mërkurën, presidenti i Serbisë u shpreh se Kosovës do t’i ofrohet një marrëveshje ku në këmbim të linjitit Kosovës do t’i ofrohet energji elektrike ose edhe pagesa me para. “Ne ishim të gatshëm t’i ofronim Prishtinës shkëmbim në mënyrë që të merrnim sasi të konsiderueshme të linjitit cilësor në këmbim të energjisë elektrike. Nëse nuk doni kështu, atëherë mund të bëhet edhe me para. Nuk kemi asnjë problem, jemi të gatshëm të flasim për këtë”, pati thënë Vuçiq për gazetarët në Ohër, gjatë Samitit për “Ballkanin e Hapur”. Kryeministri i Kosovës sa i përket “Ballkanit të Hapur”, ka thënë se SHBA-ja e tha qartë se pa qenë 6 shtete aty në nivel të barabartë nuk ka themelim.

SHARE